

Një avion luftarak amerikan F-35 Lightning II ka kryer një ulje emergjente në një bazë ajrore amerikane në Lindjen e Mesme, pasi dyshohet se është goditur nga zjarr iranian, raportoi CNN, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Kapiteni Tim Hawkins, zëdhënës i Komandës Qendrore të SHBA-ve, deklaroi se avioni i gjeneratës së pestë po “fluturonte në një mision luftarak mbi Iranin” kur u detyrua të ulej emergjentisht. Sipas tij, ulja u krye në mënyrë të sigurt dhe piloti ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
“Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe piloti është në gjendje të qëndrueshme. Incidenti është aktualisht nën hetim,” tha Hawkins.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte rasti i parë që Irani godet një avion amerikan që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit.
Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Izraeli po përdorin avionë të këtij lloji në konflikt. F-35 Lightning II konsiderohet një nga avionët më të avancuar në botë dhe ka një kosto mbi 100 milionë dollarë.
Ngjarja vjen në një kohë kur zyrtarë të lartë amerikanë vijojnë të deklarojnë sukses në operacionet kundër Iranit. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u shpreh se SHBA-ja po “fiton me vendosmëri” dhe se mbrojtja ajrore iraniane është “rrafshuar”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






