

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar nga detyra drejtorin e Burgut të Rrogozhinë, Bilal Hasa, pasi në banesën e tij u zbuluan rreth 4,000 rrënjë kanabis.
Përmes një njoftimi zyrtar, Drejtoria thekson se distancohet nga çdo veprim që shkel ligjin dhe mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të ngjarjes nga organet kompetente.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është vënë në dijeni nga mediat lidhur me rastin e drejtorit të IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa. Në vijim të informacionit të marrë, janë ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Drejtoria distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe mbështet hetimin e plotë dhe transparent të rastit.”
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë nga autoritetet kompetente, ndërsa Bilal Hasa do të qëndrojë i pezulluar deri në përfundimin e procedurave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






