Transmetuar më 19-03-2026, 17:18

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurtaj”, i zhvilluar nga Drejtoria për Krimet në Volum pranë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Gjatë kontrollit në fshatin Kurtaj, policia zbuloi dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me llamba dhe neonë, ku ishin kultivuar rreth 4,000 bimë kanabis.

Nga hetimet rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, drejtor i burgut Rrogozhinë i cili është shpallur në kërkim. Po ashtu, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në kërkim është shpallur edhe shtetasi Ervis Maçi, përgjegjës i OSHEE Peqin për zonën e Peqinit.

Operacioni vijon nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, ndërsa shërbimet e Policisë po punojnë intensivisht për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e çdo individi tjetër të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrimi përfshin llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat ishin përdorur për kultivimin e bimëve narkotike në ambientet e mbyllura. Njoftimi i Policisë:

Peqin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurtaj” për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me anë të llambave.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.

Sekuestrohen rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Shpallet në kërkim pronari i ambientit.

Në kërkim edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, për shpërdorim detyre.

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar "Kurtaj", ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.

Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.

Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit