

PRISHTINË – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur ndalimin e një personi të dyshuar në lidhje me incidentin ndaj moderatorit dhe gazetarit Alaudin Hamiti.
Sipas njoftimit zyrtar, me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë shtetasi me inicialet L.B., i dyshuar për veprën penale të kanosjes, e kryer për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të gazetarit.
Ngjarja kishte ndodhur më 20 shkurt në Prishtinë dhe kishte shkaktuar reagime të shumta publike, me mbështetje të gjerë për moderatorin e njohur të spektaklit televiziv.
Autoritetet bëjnë me dije se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të garantuar vijimin e procedurës penale, ndërsa brenda afateve ligjore pritet të paraqitet kërkesa për caktimin e masave të mëtejshme ndaj të dyshuarit.
Në përfundim të reagimit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar angazhimin e saj për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e lirisë së shprehjes, duke nënvizuar se raste të tilla do të trajtohen me seriozitet të plotë institucional.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






