

Berisha: Zhvilluam takime të rëndësishme në Parlamentin Belg, paraqitëm krizën që po gllabëron Shqipërinë dhe kërkesën për qeveri teknike
Bruksel- Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediat nga Brukseli, deklaroi se në takimet në Parlamentin Federal të Belgjikës paraqiti situatën sipas tij dramatike në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Rama për përqendrim pushteti dhe manipulim të procesit zgjedhor.
Ai ngriti shqetësime edhe për krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa shtoi se opozita ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike pa Ramën kryeministër, si zgjidhje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Berisha theksoi se, palët ranë dakord të vijojnë komunikimin, ndërsa shprehu besim se autoritetet belge mbështesin shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit.
PRONONCIMI I PLOTË:
Zhvilluam këtu pas takimit që patëm në parlamentin e kryeqytetit të Belgjikës, që është njëkohësisht kryeqyteti i Europës dhe unë kam lidhje tradicionale me parlamentin e këtij qyteti të bekuar.
Erdhëm këtu në parlamentin federal dhe u takuam me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm të parlamentit dhe anëtarë të Komisionit të Jashtëm të parlamentit ku paraqitëm gjendjen në Shqipëri, situatën dramatike në të cilën ndodhet dhe krizën që po e gllabëron Shqipërinë me shtylla kryesore përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një njeriu dhe shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale.
Drogën si një fuqi e jashtëzakonshme me rrezikshmëri të lartë për Shqipërinë, por edhe për Belgjikën, Holandën dhe rajonin e më gjerë si dhe qëndrimet e fundit ndaj korrupsionit, bllokimin e heqjes së imunitetit të Edi Ramës për shkak të dosjeve të veta dhe vendimin e tij për të votuar një paketë ligjesh si mburojë për vjedhjet e veta dhe vjedhjet e qeveritarëve.
Ramë dakord të vazhdojmë komunikimin.
Na falënderuan për informacionin dhe debatin që patëm dhe ne jemi besimplotë se autoritetet belge qëndrojnë fuqishëm për shtetin zgjedhor dhe ndarjen e pushteteve, luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar.
Mos harroni se në sallat e gjyqit të këtij kryeqyteti ka dalë emri i Edi Ramës si njeriu që i është bërë dhuratë 600 mijë euro ora, është bërë e famshme sipas televizionit belg, dhe problemet e tjera.
Unë garantova se PD mbetet e vendosur dhe ka yll polar në programin e saj integrimin e bazuar në meritë.
Dhe, kushti i të gjitha kushteve, për mendimin tonë, duhet të jetë respektimi i shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pyetje: A shpalosët dhe kërkesën e opozitës tashmë për qeveri teknike në këto takime?
Sali Berisha: Sigurisht që e shpalosëm dhe e paraqitëm atë si mundësia e vetme që shqiptarët të mund të votojnë në zgjedhje të lira sepse qeveria aktuale zhvillon farsë dhe nuk bën zgjedhje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






