Transmetuar më 19-03-2026, 14:37

BERAT/FIER – Fermerët e zonave të Dimal dhe Rroskovec kanë zhvilluar një protestë mesditën e sotme në fshatin Samaticë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga shteti për stabilizimin e tregut bujqësor.

Protesta u organizua kundër pikave të grumbullimit, të cilat sipas fermerëve po blejnë prodhimet me çmime nën kosto, veçanërisht kastravecin. Aktualisht, sipas tyre, ky produkt tregtohet me rreth 60 lekë për kilogram, ndërsa çmimi ndryshon nga dita në ditë, duke rritur pasigurinë ekonomike për prodhuesit.

Fermerët theksojnë se situata është përkeqësuar edhe për shkak të dëmeve nga përmbytjet e sezonit të kaluar, për të cilat, sipas tyre, nuk kanë marrë asnjë kompensim financiar.

Të mbështetur kryesisht në bujqësi si burim jetese, protestuesit kërkojnë vendosjen e mekanizmave mbrojtës për çmimet dhe garantimin e një tregu të drejtë për prodhimet vendase.

“Nëse kjo situatë vazhdon, do të detyrohemi të bojkotojmë prodhimin, të mbyllim serat dhe të emigrojmë”, u shprehën fermerët gjatë protestës.

Sipas organizatorëve, në këtë reagim janë përfshirë fermerë nga katër fshatra të bashkisë Dimal dhe tre fshatra të bashkisë Rroskovec. Ata administrojnë rreth 500 hektarë sera me produkte të stinës, të cilat kryesisht destinohen për eksport dhe përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave për familjet e tyre.

Fermerët paralajmërojnë se kjo protestë përbën vetëm fazën e parë të reagimit dhe, në mungesë të një zgjidhjeje konkrete nga institucionet, aksionet do të përshkallëzohen në ditët në vijim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit