Transmetuar më 19-03-2026, 14:16

Debati për taksën e qarkullimit, ministri Enea Karakaçi sqaron qëndrimin pas mbledhjes së qeverisë

Ministri për Energjinë dhe Infrastrukturën, Enea Karakaçi, në deklaratën e tij pak më parë, menjëherë pas mbledhjes së qeverisë, ka shprehur qëndrimin kundër kërkesës për uljen e taksës së qarkullimit.

Reagimi i tij erdhi pasi Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një projektligj që synon uljen e kësaj takse në nivelin e vitit 2013. Sipas ministrit, një ndryshim i tillë nuk do të sillte përfitime, por përkundrazi do të krijonte më shumë kosto për qytetarët.

“Taksa e qarkullimit për t’u ulur në 45 lekë nënkupton që ajo të jetë realisht 45 lekë, por kjo nuk është situata aktuale. Ne kemi ndjekur një model tjetër. Taksa e qarkullimit është e shpërndarë në disa komponentë: një pjesë në pikat e karburanteve, si dhe një pjesë në pagesat e taksave të mjeteve. Kemi vlerësuar se aplikimi i saj në çmimin e karburantit është forma më e drejtë, pasi paguajnë më shumë ata që përdorin më shumë automjetin. Pra, ai që konsumon më shumë litra karburant, paguan edhe më shumë taksë”, u shpreh Karakaçi.

Ai shtoi se qeveria po ndjek nga afër zhvillimet në tregun e karburanteve, si në vend ashtu edhe në shtete të tjera, duke theksuar se është ndjekur modeli i vendosjes së një çmimi tavan.

Në vijim, ministri u ndal edhe tek çështja e Bordit të Transparencës, duke sqaruar se për momentin nuk ka një vendimmarrje për rikthimin e tij në funksion.

“Nëse do të merret një vendim për miratimin dhe rifillimin e Bordit të Transparencës, aktualisht nuk kemi ende një vendimmarrje të tillë. Ky Bord ekziston dhe mund të ngrihet në çdo moment përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave”, tha ai.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi në Kuvend një paketë ligjore që përfshin dy projektligje, me synim uljen e çmimeve dhe mbajtjen e tyre nën kontroll, si dhe mbështetjen për konsumatorët, ekonomitë familjare dhe sektorin prodhues.

I pyetur se kur situata mund të konsiderohej shqetësuese për të ndërhyrë me ngritjen e Bordit të Transparencës, ministri theksoi se aktualisht nuk ka probleme në furnizimin me karburant.

“Ne po ndjekim vazhdimisht dinamikën e tregut. Në situata krize, dy janë elementët kryesorë që vlerësohen: nëse ka mungesë produkti në treg dhe si ndikojnë zhvillimet ndërkombëtare. Sipas të gjitha informacioneve që kemi, Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizimin e Shqipërisë, pasi mbi 90% e furnizimit me produkte nafte sigurohet përmes rrugëve të tjera detare”, përfundoi Karakaçi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit