Transmetuar më 19-03-2026, 13:08

KORÇË – Policia e Korçës ka arrestuar sot dy persona dhe ka proceduar penalisht një tjetër në kuadër të operacioneve për parandalimin dhe goditjen e kontrabandës dhe shkeljeve të tjera ligjore në kufi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e drejtuar nga një 47-vjeçar, banues në Greqi, në hyrje të Shqipërisë, shërbimet e Policisë së Kufirit në bashkëpunim me Doganën gjetën një sasi medikamentesh mjekësore, pa dokumentacionin përkatës. Si pasojë, 47-vjeçari është arrestuar dhe akuzuar për "Kontrabandë me mallra të licencuara". Po ashtu, automjeti dhe një celular i tij janë sekuestruar si prova materiale.

Në një operacion tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë të një automjeti që drejtohej nga shtetasi R. P., 45 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, u zbulua se ai po udhëtonte pa leje drejtimi. Për këtë, ai është arrestuar dhe akuzuar për "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".

Gjithashtu, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër në dalje të Shqipërisë, shërbimet doganore dhe të Policisë së Kufirit zbuluan disa bombola me gaz freon, të padeklaruara dhe të dyshuara të kontrabanduara. Automjeti dhe bombolat e gazit janë sekuestruar, dhe ndaj shtetasit E. K., 63 vjeç, banues në Korçë, është nisur procedimi penal për "Kontrabanda me mallra të tjera".

Këto veprime janë pjesë e një serie kontrollesh të vazhdueshme që po realizohen në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme në kufirin shqiptar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit