Transmetuar më 19-03-2026, 12:18

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se stërvitjet e ushtrisë serbe me helikopterë dhe parashutistë disa metra larg kufirit me Kosovën, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit. Në mbledhjen e pestë të qeverisë, Kurti tha se kjo shfaqje bëhet edhe më e rrezikshme kur kuptohet se njësia që po ushtronte afër Kosovës, është e njëjta që ka trajnuar kryekriminelin Milan Radoiçiç.

Kurti shtoi se me këto lëvizje si dhe me blerjen e raketave nga Kina, Serbia përdor ushtrinë si një mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës. Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur”, tha Kurti

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit