

Gazetari dhe publicisti i njohur, Namir Lapardhaja, është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare në Gjermani, në orët e para të mëngjesit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një trombozë në zemër.
Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij, të cilët kanë bërë me dije se ndryshe nga herët e tjera, ai nuk po përgjigjej në telefon ndaj thirrjeve të kolegëve dhe të afërmve, duke ngritur shqetësim.
Vetëm pak ditë më parë, më 5 mars, Lapardhaja kishte festuar ditëlindjen e tij.
I njohur për angazhimin qytetar, analizat dhe qëndrimet e tij publike, ai ishte një zë i spikatur në media si publicist dhe kritik letrar.
Namir Lapardhaja është autor i disa librave, eseve dhe një numri të madh artikujsh, të cilët përbëjnë një trashëgimi të rëndësishme kulturore dhe intelektuale për shoqërinë dhe për familjen e tij.
Në webin e tij ai ka publikuar shkrime ku më i fundit është ky që lexoni më poshtë:
Të krahasosh të pakrahasueshmen!
Nga Namir Lapardhaja
Edi Rama paska thënë se Gjermania është bërë e vështirë për vetë gjermanët dhe jo më për ne, duke nënkuptuar që mundësitë në Shqipëri janë më të mira se atje. (Të mendosh që gjithmonë paranojat e autokratëve janë ta krahasojnë veten me të pakrahasueshmen).
Po, Rama ka të drejtë kur thotë që Gjermania sot ka vështirësi të mëdha, por janë vështirësitë e një shteti prej 84 milionë banorësh që sfidën e ka me veten për të qenë numri një në Evropë për gjithçka dhe për t’u shndërruar në lokomotivën ekonomike të kontinentit.
Ndërkohë që vendi që drejton Edi Rama prej 12 vitesh, e vetmja gjë me të cilën mburret, është kafeja e mirë, madje edhe për këtë gjë nuk ka kurrfarë merite qeveria.
Ashtu sikurse nuk ka meritë për zhvillimin e turizmit apo për sektorë të ngjashëm, të cilët ecin falë projekteve individuale të njerëzve vizionarë, që përveçse vëshitrësive të panumërta, nuk marrin kurrfarë mbështeje nga qeveria e tij.
Përveçse korrupsion, nepotizëm, klientelizën, pasiguri, pabarazi, bukë dhe cirk, çfarë ofron tjetër Edi Rama?
Po vendi që ai drejton me kë e ka garën për t’u krahasuar? Se, me sa shohim, edhe Kosova dhe Maqedonia e kanë lënë prapa! Për të mos hedhur sytë pak më tej.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






