

Ngjarje shqetësuese në Itali: i riu shqiptar përballet me dënimin pas presioneve ndaj një të mituri vendas
Një i ri 21-vjeçar me origjinë shqiptare është dënuar nga gjykata e Firences me 3 vite e 8 muaj burg, pas një procesi me procedurë të shkurtuar, i akuzuar për zhvatje, vjedhje me dhunë dhe lëndime.
Sipas mediave italiane, ngjarjet kanë ndodhur mes shtatorit 2024 dhe prillit 2025 në Borgo San Lorenzo, në zonën e Mugellos. I riu ndodhej prej kohësh në arrest shtëpie dhe e priti vendimin në banesë.
Së bashku me të janë hetuar edhe tre të rinj të tjerë, në atë kohë 16-17 vjeç, të cilët ndiqen nga prokuroria për të mitur me të njëjtat akuza.
Sipas hetimeve, i mituri 14-vjeçar është përballur për muaj me radhë me presione të vazhdueshme. Ai ndalohej shpesh në rrugë ose në park dhe detyrohej të jepte para, nën kërcënimin e dhunës. Shumat varionin nga monedha të vogla deri në 15 euro çdo herë.
Në total, gjatë kësaj periudhe, grupi dyshohet se i ka marrë rreth 200 euro përmes këtyre veprimeve të përsëritura. Sipas dëshmive, kërcënimet ishin të vazhdueshme, duke i krijuar të miturit një gjendje të fortë frike.
14-vjeçari nuk i kishte treguar familjes për atë që po përjetonte deri më 26 prill 2025, kur sipas hetimeve, 21-vjeçari i mori me forcë portofolin. Vetëm pas këtij episodi ai u rrëfye tek prindërit.
Pas disa ditësh, babai i tij ndërhyri për të mbrojtur të birin, por sipas autoriteteve, u sulmua nga grupi dhe pësoi dëmtime të lehta, të shërueshme për rreth shtatë ditë. Më pas ai bëri kallëzim në polici.
Incidentet ndodhën midis mesit të vitit 2024 dhe prillit 2025, gjatë së cilës kohë të dyshuarit i kishin zhvatur viktimës shuma të vogla parash çdo javë, duke kërcënuar me hakmarrje, duke përfshirë rrahje dhe përdorimin e një thike që kishin në posedim, nëse ai nuk u jepte paratë.
Kjo bëri që viktima të përjetonte ankth dhe frikë të vazhdueshme për sigurinë e tij. Në një rast, ata kishin sulmuar edhe babanë e viktimës me shkopinj, i cili i kishte ardhur në ndihmë, thuhet në dosjen hetimore.
Pas dëshmive dhe identifikimeve fotografike, hetuesit arritën të identifikojnë personat e dyshuar dhe të çojnë çështjen në gjykatë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






