

Kosova dhe Shqipëria vijojnë të klasifikohen si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës Freedom House, i publikuar më 19 mars.
Sipas raportit “Liria në Botë 2026”, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një pikë më shumë krahasuar me një vit më parë. Në raport theksohet se sistemi gjyqësor në vend ka dhënë vendime që dëshmojnë një shkallë pavarësie, pavarësisht trysnive të konsiderueshme politike.
Megjithatë, zhvillimet politike gjatë vitit 2025 kanë ndikuar negativisht në progresin institucional. Sipas gjetjeve, kriza politike dhe paaftësia për të formuar një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit – duke e lënë vendin nën drejtimin e një qeverie në detyrë – kanë zbehur përparimin në pavarësinë e gjyqësorit dhe në garantimin e sigurisë fizike.
Në raportin paraprak, kur Kosova ishte vlerësuar me 60 pikë, evidentohej se korrupsioni mbetej problematik në institucionet publike, ndërsa gazetarët përballeshin me presione dhe frikësime. Po ashtu, sundimi i ligjit pengohej nga ndërhyrjet dhe mosfunksionimi në sistemin gjyqësor.
Renditja në rajon
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet në mes të tabelës. Serbia paraqitet me rezultatin më të ulët në rajon, me 53 pikë, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 54 pikë.
Ndërkohë, Shqipëria vlerësohet më lart në rajon, me 69 pikë, duke shënuar gjithashtu një rritje prej një pike krahasuar me vitin e kaluar. Pas saj renditen Mali i Zi me 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 67 pikë.
Tendencat globale të lirisë
Raporti “Liria në Botë 2026” përfshin vlerësime për të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore, duke mbuluar periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2025.
Sipas të dhënave, viti 2025 shënoi vitin e 20-të radhazi të rënies së lirisë globale. Puçet ushtarake, dhuna ndaj protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për dobësimin e garancive kushtetuese kanë ndikuar në këtë prirje negative.
Në total, 54 vende regjistruan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 vende shënuan përmirësim. Aktualisht, vetëm 21 për qind e popullsisë botërore jeton në vende të cilësuara si “të lira”, një rënie e ndjeshme nga 46 për qind që ishte dy dekada më parë.
Ndër vendet me rënien më të madhe të pikëve gjatë vitit përmenden Guinea-Bissau, Tanzania, Burkina Faso, Madagaskari dhe El Salvadori. Në anën tjetër, përmirësimet më të dukshme u regjistruan në Siria, Sri Lanka, Bolivia dhe Gaboni.
Gjithashtu, Bolivia, Fixhi dhe Malaui kaluan nga statusi “pjesërisht të lira” në “të lira”, si rezultat i zgjedhjeve më konkurruese, rritjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe forcimit të sundimit të ligjit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






