Transmetuar më 19-03-2026, 07:51

SHBA – Ekspertja shqiptare e teknologjisë, Drena Kusari, është emëruar në një nga pozicionet më të larta drejtuese në Microsoft, duke shënuar një arritje të rëndësishme në karrierën e saj ndërkombëtare.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kusari përmes një postimi në rrjetin profesional LinkedIn, ku ajo njoftoi se ka marrë detyrën e re si Corporate Vice President dhe General Manager.

“Jam e lumtur të ndaj se po filloj një pozitë të re si Corporate Vice President dhe General Manager në Microsoft!”, shkroi ajo në njoftimin e saj.

Emërimi i saj e vendos Kusarin në mesin e drejtuesve të lartë të një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë, duke forcuar profilin e saj si lidere në sektorin global të inovacionit.

Karriera dhe formimi

Drena Kusari ka lindur dhe është rritur në Gjakovë. Në vitin 1999 ajo u shpërngul në SHBA, ku përfundoi arsimin e mesëm dhe të lartë.

Ajo është diplomuar në Ekonomi dhe Diplomaci në Occidental College dhe ka përfunduar studimet MBA në Harvard Business School.

Rrugëtimin profesional e nisi si punonjëse terreni për Save the Children, menjëherë pas luftës në Kosovë. Më pas, ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në kompani të njohura ndërkombëtare si Goldman Sachs, ku ka punuar si analiste financiare, dhe McKinsey & Company, si konsulente strategjie.

Gjithashtu, Kusari ka mbajtur poste drejtuese në kompaninë Lyft, ku ka qenë General Manager për rajonin Southwest dhe Hawaii, duke u bërë gruaja e parë që drejtoi këtë rajon në kompani.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit