Transmetuar më 19-03-2026, 07:30

Tiranë – Rritja rekord e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (TNI) po nxjerr në pah përmasat e mëdha që ka marrë sektori i ndërtimit në vend, veçanërisht gjatë fillimit të vitit 2026.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat nga kjo taksë për periudhën janar–shkurt 2026 arritën në 11.2 miliardë lekë, duke shënuar një rekord historik. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u arkëtuan rreth 2.6 miliardë lekë, të ardhurat janë më shumë se katërfishuar.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila paguhet nga ndërtuesit në masën 8% të vlerës së shitjes për çdo metër katror në Tiranë dhe nga 4% deri në 8% në rrethe, konsiderohet si një tregues i drejtpërdrejtë i volumit të ndërtimeve të reja.

Ekspertët vlerësojnë se rritja e ndjeshme e arkëtimeve tregon për një zgjerim të madh të sipërfaqeve të ndërtimit, përtej shifrave zyrtare të raportuara. Të dhënat mbi lejet e ndërtimit mbeten të pjesshme, pasi Instituti i Statistikave (INSTAT) nuk përfshin në raportime lejet e dhëna nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i cili vitet e fundit ka marrë kompetenca për projektet e mëdha, përfshirë kullat dhe fshatrat turistike.

Të ardhurat nga kjo taksë përbënë rreth 63% të shtesës së të ardhurave buxhetore në dy muajt e parë të vitit, duke reflektuar një varësi të lartë të financave publike nga sektori i ndërtimit.

Të dhënat historike tregojnë se rreth 70% e lejeve të ndërtimit jepen në Tiranë, e cila po përjeton një fazë intensive zhvillimi urban. Ndërkohë, aktivitet i lartë ndërtimi raportohet edhe në zonat bregdetare, veçanërisht në Durrës, Golem dhe në jug të vendit.

Sipas analizave, rritja e të ardhurave lidhet si me shtimin e sipërfaqeve të ndërtimit, ashtu edhe me rritjen e çmimeve referencë të shitjes. Megjithatë, pjesa më e madhe e rritjes i atribuohet volumit të ri të ndërtimit.

Në vitin 2016, të ardhurat nga kjo taksë për periudhën janar–shkurt ishin vetëm 681 milionë lekë, çka tregon një rritje prej rreth 16 herë në një dekadë.

Struktura e të ardhurave buxhetore për këtë periudhë tregon se pothuajse dy në tre lekë shtesë në buxhet kanë ardhur nga taksat mbi ndërtimin. Në të kundërt, kontributi i TVSH-së në rritjen totale mbetet i ulët, ndërsa sigurimet shoqërore dhe shëndetësore renditen si burimi i dytë më i rëndësishëm.

Kjo situatë nxjerr në pah varësinë në rritje të financave publike nga një sektor i vetëm, ndërkohë që burime të tjera të të ardhurave kanë një ndikim më të kufizuar në buxhet.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit