

Tiranë, 18 mars 2026 – Diplomati Gazmend Turdiu, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, komentoi miratimin e rezolutës së parlamentit shqiptar që e cilëson Iran si shtet që sponsorizon terrorizmin, duke e konsideruar një akt kryesisht politik.
Sipas Turdiut, Shqipëria është vendi i dytë në botë që miraton një rezolutë të tillë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Ai shtoi se vendimi nuk ka implikim ligjor të drejtpërdrejtë, dhe zbatimi i tij konkret mbetet në dorën e qeverisë përmes masave të mundshme si sanksione apo bllokime.
“Natyrisht që ky është një gjest politik, nuk ka ndonjë implikim ligjor… Shqipëria nuk ka asnjë lloj marrëdhënieje me Iranin që pas sulmit kibernetik dhe ne jemi në armiqësi me ta. Por çfarë shtoi kjo rezolutë? Asgjë!” – deklaroi Turdiu.
Diplomati theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Iranin kanë qenë kryesisht diplomatike dhe jo ekonomike, duke përmendur edhe ndikimin destabilizues të regjimit iranian në rajon dhe masakrën e mbi 50 mijë qytetarëve në protestat e fundit.
Ai shtoi se rezoluta, megjithëse e kuptueshme si gjest simbolik, nuk e ndryshon realitetin diplomatik:
“Sot kemi dhe muxhahejdinët në vendin tonë dhe ne nuk kemi bërë kurrë një llogari se çfarë pasojash do të kishte mbi ne ai vendim për t’i strehuar,” – tha Turdiu.
Rezoluta kundër Iranit ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik dhe ngre debate mbi efektivitetin e saj në politikën e jashtme të Shqipërisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






