

Bruksel, 18 mars 2026 – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga Brukseli se Partia Popullore Evropiane (PPE) vijon të mbështesë fuqishëm Partia Demokratike e Shqipërisë, ndërsa akuzoi qeverinë shqiptare për bllokimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Deklaratat u bënë në kuadër të 50-vjetorit të PPE-së, ku Berisha theksoi rolin e këtij grupimi si forca më e madhe politike në Evropë dhe kontributin e tij në ndërtimin e Evropës së pasluftës.
Sipas tij, marrëdhëniet mes PD-së dhe PPE-së janë “të shkëlqyera”, duke përmendur edhe mbështetjen e vazhdueshme të kësaj të fundit për opozitën shqiptare.
“Janë disa rezoluta që kanë shprehur mbështetjen e plotë për PD dhe dënimin e farsës elektorale dhe të regjimit të Edi Rama,” – u shpreh Berisha.
Ai shtoi se PPE mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, por vetëm mbi bazën e meritës dhe standardeve demokratike.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në rajon, Berisha theksoi se Shqipëria ka mbetur pas në procesin e integrimit, ndryshe nga vende të tjera si Mali i Zi.
“Shqipëria mbeti në klasë dhe është në labirintet në të cilat e futi Edi Rama për shkak të dosjeve të tij të tmerrshme me korrupsionin,” – deklaroi ai.
Berisha u shpreh gjithashtu se në Bruksel ka paralajmërime serioze lidhur me situatën politike dhe zhvillimet në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si “peng të korrupsionit”.
Në përfundim, ai theksoi se kryeministri Rama, sipas tij, nuk i dëgjon më thirrjet e partnerëve evropianë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






