Transmetuar më 18-03-2026, 16:54

Tiranë, 18 mars – Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim me intelektualë, pedagogë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ku ka ngritur shqetësime për funksionimin e partive politike në vend.

Në një kohë kur përflitet për një sfidë ndaj Sali Berisha në zgjedhjet për drejtimin e PD-së më 23 maj, Salianji ka lënë të kuptohet për një ambicie të tillë, duke theksuar nevojën për rritjen e demokracisë së brendshme dhe integritetit të proceseve zgjedhore në parti.

Ai u shpreh se është e domosdoshme një ndërhyrje ligjore për të rregulluar mënyrën e funksionimit të partive politike, duke propozuar krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës për zgjedhjet e brendshme partiake.

“Duhet një rregullim ligjor për mënyrën si funksionojnë partitë politike, duke krijuar një komision për zgjedhjet brenda partiake. Dy kryetarët e partive kryesore, kur vjen puna te kontrolli i partive, bëhen bashkë, ndryshon vetëm retorika”, deklaroi ai.

Salianji theksoi gjithashtu se mungesa e rregullave të qarta prek si Partia Socialiste ashtu edhe Partinë Demokratike, duke shtuar se ndryshimet e fundit në sistemin zgjedhor kanë kufizuar rolin e qytetarëve në përzgjedhjen e përfaqësuesve.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi edhe rolin e SPAK në luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve dhe rritjes së besimit publik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit