

Tiranë, 18 mars – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 277/1 të vitit 2022, në ngarkim të 11 personave, përfshirë ish-zv. Kryeministrin Arben Ahmetaj.
Sipas aktakuzës, Ahmetaj dyshohet për:
Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, në 9 raste;
Fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, në 15 raste;
Pastrim të produkteve të veprës penale, në disa episode.
Prokuroria pretendon se Ahmetaj ka përfituar përfitime të konsiderueshme nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përmes pagesave fiktive, shitjeve të simuluara dhe investimeve të maskuara.
Midis përfitimeve të dyshuara përmenden:
Rreth 2 milionë lekë për investime në një apartament të kthyer në Airbnb;
170 mijë euro dhe 270 mijë euro nga shitje fiktive;
Një vilë në Hamallaj me vlerë rreth 230 mijë euro;
Shpenzime udhëtimesh për vite me radhë.
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu fshehje të pasurive dhe transaksioneve, përfshirë investime të padeklaruara në apartamente dhe vila, një vilë në Hamallaj dhe një tjetër në Green Coast, Palasë, si dhe deklarime të rreme pranë ILDKPKI për burime të ardhurash dhe shitje pasurie.
Në dosje përfshihen edhe 10 të pandehur të tjerë, kryesisht bashkëpunëtorë dhe persona të lidhur, të akuzuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie. SPAK thekson se hetimet kanë zbuluar një skemë të strukturuar për përfitime të paligjshme dhe fshehjen e tyre përmes transaksioneve fiktive dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.
Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






