Transmetuar më 18-03-2026, 11:54

Londër, 18 mars – Një grup i organizuar shtetasish shqiptarë është dënuar nga drejtësia në Mbretëria e Bashkuar për përfshirje në shpërndarjen e kokainës së “klasit A”, ndërsa tetë persona kanë marrë dënime me burg.

Sipas mediave britanike, rrjeti kriminal operonte në mënyrë të strukturuar në zonën e Milton Keynes, duke shpërndarë lëndë narkotike në mënyrë të vazhdueshme për disa muaj. Hetimet zbuluan se grupi kishte një organizim të mirëfilltë, me role të ndara dhe furnizim të koordinuar, duke realizuar një numër të madh transaksionesh çdo muaj.

Operacioni policor u zhvillua pas një periudhe të gjatë vëzhgimi, gjatë së cilës u dokumentua aktiviteti kriminal dhe lidhjet mes anëtarëve të rrjetit. Goditja e parë u krye në korrik 2023, kur u arrestuan gjashtë persona dhe u sekuestruan rreth 1.5 kilogramë kokainë, pajisje të lidhura me përpunimin e saj dhe rreth 10 mijë paund.

Aksioni vijoi më 21 nëntor 2023, kur autoritetet arrestuan edhe persona të tjerë të lidhur me të njëjtin rrjet, ndërsa u sekuestruan 500 gramë kokainë dhe rreth 50 mijë paund.

Çështja u shqyrtua në Southwark Crown Court, ku u dhanë edhe vendimet përfundimtare për të pandehurit.

Të dënuarit janë:

Zeqir Pisli, 30 vjeç – 13 vjet e 8 muaj burg, i konsideruar organizatori kryesor;

Mevlan Pisli, 39 vjeç – 4 vjet e 2 muaj;

Festim Pisli, 36 vjeç – 10 vjet e 3 muaj;

Laers Katana, 22 vjeç – 5 vjet e 7 muaj;

Arnaldo Dedja, 33 vjeç – 5 vjet e 8 muaj;

Selita Burim, 27 vjeç – 5 vjet e 7 muaj;

Jozef Perzefi, 21 vjeç – 3 vjet;

Leonsio Cara, 28 vjeç – 3 vjet.

Autoritetet britanike theksuan se bëhej fjalë për një rrjet të konsoliduar kriminal, me veprimtari në shkallë të gjerë dhe ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet. Sipas policisë, aktivitete të tilla lidhen jo vetëm me shpërndarjen e drogës, por edhe me pasoja të tjera të rënda, përfshirë dhunën dhe shfrytëzimin, duke dëmtuar jetën e komuniteteve lokale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit