

Tiranë, 18 mars – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim në themel dosjen penale ndaj Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
Brenda afateve ligjore, gjykata pritet të hedhë shortin elektronik për përcaktimin e trupës gjykuese prej tre gjyqtarësh, e cila do të shqyrtojë çështjen në themel.
Ndërkohë, gjyqtarja Irena Gjoka ka rrëzuar të gjitha kërkesat e paraqitura nga të pandehurit për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave. Mbrojtja kishte kërkuar pushimin e çështjes ose, në alternativë, rikthimin e saj për hetime të mëtejshme.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet për këtë dosje më 28 korrik 2025 dhe në fund të muajit gusht e dërgoi çështjen për gjykim. Dosja përfshin tre hetime kryesore: çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Nga pesë të pandehurit, i vetmi që ndodhet në masë sigurie “arrest me burg” është Ilir Meta, i arrestuar në tetor 2024. Kërkesat e tij për ndryshim të masës së sigurisë janë rrëzuar në mënyrë të përsëritur, përfshirë edhe një kërkesë të shqyrtuar së fundmi nga Gjykata e Lartë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






