Transmetuar më 18-03-2026, 10:58

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vjenë, ku katër punëtorë humbën jetën pas shembjes së një pjese të konstruksionit në një kantier ndërtimi në zonën e Alsergrund.

Sipas të dhënave, tre prej viktimave janë identifikuar si shtetas nga Kosovë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, të cilët humbën jetën në vend si pasojë e rrëzimit të skelave. Viktima e katërt mbetet ende e paidentifikuar publikisht.

Ngjarja ndodhi gjatë orarit të punës, kur një segment i skelave u shemb papritur, duke zënë poshtë punëtorët që ndodheshin në kantier. Si pasojë, ata ranë në oborrin e një ndërtese të vjetër, duke mos i mbijetuar plagëve të marra.

Ambasada e Kosovës në Austri konfirmoi se tre prej viktimave janë shqiptarë nga Kosova, ndërsa autoritetet austriake kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe përgjegjësive të këtij aksidenti fatal.

Një prej viktimave, Asllan Musliu, ishte veteran i Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pjesë e Drejtimit Taktik nr. 2 në operacionin “Shigjeta”.

Operacioni i shpëtimit u përball me vështirësi të mëdha për shkak të hapësirës së kufizuar dhe rrënojave të shumta. Rreth 120 efektivë dhe afro 30 mjete të zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile u angazhuan në vendngjarje. Pas rreth dy orë e gjysmë ndërhyrjesh intensive, trupat e viktimave u nxorën nga rrënojat, por fatkeqësisht pa shenja jete.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin shqiptar në Austri, ndërsa familjarët e viktimave kanë marrë mesazhe të shumta ngushëllimi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit