

Fier – Një 36-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Lushnjë.
Në pranga ka rënë Odise Hajdari, banues në Lushnjë. Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar “Fokusi”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë sekuestruan 55 gramë lëndë narkotike kokainë dhe 562 gramë lëndë narkotike kanabis. Po ashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një peshore elektronike, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe një aparat celular.
Sipas Policisë, arrestimi erdhi pas një hetimi njëmujor, që synonte goditjen e veprimtarisë së shpërndarjes së narkotikëve në zonë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fier, për vijimin e veprimeve ndaj 36-vjeçarit, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






