

SHBA urdhëron ambasadat në gjithë botën të rishikojnë menjëherë sigurinë pas sulmeve
Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar nga të gjitha misionet diplomatike në botë që të kryejnë menjëherë një vlerësim të plotë të sigurisë, për shkak të situatës së përshkallëzuar në Lindjen e Mesme dhe rrezikut të përhapjes së konfliktit.
Sipas një komunikimi të brendshëm të siguruar nga The Washington Post, të gjitha ambasadat duhet të mbledhin Komitetet e Veprimit Emergjent (EAC), ekipe të posaçme që analizojnë kërcënimet dhe përgatisin plane reagimi, si dhe të rishikojnë nivelin aktual të sigurisë.
Ky urdhër, i firmosur nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, shënon herën e parë që një masë e tillë aplikohet në nivel global për shkak të konfliktit me Iranin, pasi më parë ishte kufizuar kryesisht në rajonin e Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, ambasadat amerikane kanë qenë objekt i sulmeve të shumta që nga nisja e operacioneve ushtarake SHBA-Izrael më 28 shkurt. Vetëm në Irak janë regjistruar rreth 292 sulme ndaj objekteve amerikane, ndërsa incidente janë raportuar edhe në vende të tjera si Kanada dhe Norvegji.
Në Arabinë Saudite, ambasada amerikane në Riad ka pësuar dëme të konsiderueshme nga një sulm me dron, ndërsa në Bagdad janë regjistruar shpërthime të reja pranë kompleksit diplomatik. Sipas dëshmitarëve, disa dronë janë interceptuar nga sistemi mbrojtës, ndërsa një prej tyre ka rënë brenda zonës së ambasadës duke shkaktuar zjarr.
Një tjetër incident është raportuar edhe në Izrael, ku një raketë balistike iraniane e neutralizuar ka goditur një ndërtesë ku qëndronin diplomatë amerikanë, pa shkaktuar të lënduar.
Autoritetet amerikane theksojnë se mbledhjet e ekipeve emergjente janë pjesë e procedurave standarde të menaxhimit të rrezikut dhe nuk tregojnë domosdoshmërisht një kërcënim të ri specifik, por situata mbetet e tensionuar dhe në zhvillim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





