

Moti i paqëndrueshëm përfshin Shqipërinë dhe Kosovën, reshje shiu dhe ulje temperaturash
Për ditën e mërkurë, vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, raporton noa.al duke cituar Shërbimin Meteorologjik Ushtarak. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit.
Reshjet e shiut, të herëpashershme dhe me intensitet të ulët, pritet të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit dhe do të vijojnë deri në orët e mesditës në një pjesë të madhe të vendit. Pas mesditës, reshjet do të lokalizohen kryesisht në jug dhe përgjatë zonave malore, duke vazhduar deri në orët e vona të pasdites. Në mënyrë të izoluar dhe për periudha të shkurtra, reshjet mund të shfaqen edhe në formën e shtrëngatave.
Era do të fryjë me drejtim verilindje–juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë deri në 11 m/s.
Në detet Adriatik dhe Jon pritet valëzim i ulët, i forcës 1 deri në 3 ballë.
SHQIPËRIA
Sipas MeteoAlb, një qendër e presionit të ulët atmosferik që po zhvillohet në veri të Ballkanit do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në territorin shqiptar. Si pasojë, orët e paradites do të dominohen nga vranësira të shpeshta dhe reshje shiu në formë rrebeshesh, më të dukshme në zonat veriore dhe pjesërisht në ato qendrore. Në zonat malore priten edhe reshje dëbore.
Kjo situatë atmosferike pritet të vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes, kur parashikohet një dobësim i përkohshëm i vranësirave.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë ulje si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale, duke u luhatur nga 1°C, temperatura më e ulët e regjistruar në qytetin e Bulqizës, deri në 17°C, temperatura më e lartë e cila pritet të shënohet në Sarandë.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, duke arritur shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi verilindor. Kjo do të ndikojë në rritjen e dallgëzimit në brigjet detare, deri në 3 ballë.
KOSOVA
Në pjesën më të madhe të Republikës së Kosovës do të dominojnë vranësira të shpeshta, të cilat herë pas here do të zhvillohen duke sjellë reshje shiu në të gjithë territorin. Intensiteti i tyre do të jetë kryesisht i ulët, por lokalisht mund të arrijë në nivele mesatare, sidomos në skajin veriperëndimor të vendit.
Reshjet pritet të vijojnë deri në orët e vona të mbrëmjes, kur do të ketë dobësim gradual të tyre. Në zonat e thella malore priten reshje dëbore.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë ulje, duke u luhatur nga 0°C vlera minimale deri në 12°C vlera maksimale në rang territori.
Ndërkohë, era do të fryjë mesatare deri e fortë, duke arritur shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi verilindor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






