Transmetuar më 17-03-2026, 22:27

Rreth 90 mijë punonjës të sektorit publik në Kosovë, përfshirë mësimdhënës, policë, zjarrfikës dhe punëtorë të administratës, janë prekur nga reduktimi i shtesës për përvojën e punës, i cili u vendos me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik të vitit 2022.

Sipas mësimdhënësit Qamil Hajdini, me mbi 30 vjet përvojë në arsim, vendimi për përgjysmimin e shtesës për 15 vitet e para të punës ka qenë i papritur dhe ka shkaktuar pakënaqësi të madhe. Ai thekson se efekti nuk është vetëm financiar:

"Edhe nëse janë 15 euro, me to mund të bësh, për shembull, një pagesë komunale… por, më e rëndësishmja është që ndihesh keq kur e sheh që e drejta jote nuk po respektohet," tha Hajdini për Radion Evropa e Lirë.

Që nga viti 2010, shtesa për përvojën e punës ishte 0.5% e pagës për çdo vit pune. Me ligjin e ri, për 15 vitet e para kjo u reduktua në 0.25%, duke lënë vetëm pas vitit të 15-të normën 0.5%. Gjykata Kushtetuese shpalli këtë reduktim antikushtetues, por deri më tani ndryshimi nuk është zbatuar.

Sipas ekspertit të drejtësisë, Naim Jakaj, moszbatimi i vendimit ka sjellë një numër të madh padish për kompensim, duke rrezikuar mbingarkimin e gjyqësorit dhe pasoja financiare për shtetin. Vetëm një ditë në maj 2025, rreth 2.000 padi u dorëzuan në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ekonomikisht, humbja për një punonjës me pagë bazë 600 euro dhe 15 vjet përvojë punë arrin mbi 800 euro për periudhën 2023–2025, si pasojë e uljes së shtesës nga 0.5% në 0.25% për vitin e punës.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, paralajmëron veprime sindikale nëse institucionet nuk hapin dialog:

"Kur nuk kemi dialog për një kohë të gjatë, detyrohemi të ndërmarrim veprime sindikale, si protesta dhe greva," tha ai, duke theksuar se efekti i humbjeve mujore është i ndjeshëm për punonjësit me paga të ulëta.

Si Jakaj, ashtu edhe Jasharaj kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë Ligjin për Pagat në përputhje me vendimin e Kushtetueses dhe të sigurojë kompensim retroaktiv për periudhën e humbjeve.

Hajdini shton se do të ishte më mirë që qeveria të ndërmerrte veprimet e nevojshme pa u drejtuar në gjykata, duke shmangur vonesat dhe pasojat financiare. Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje se a do t’i kompensojë punëtorët për periudhën e humbjeve./REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit