

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka refuzuar propozimet për ulje të tensioneve të përcjella në Teheran nga ndërmjetës ndërkombëtarë, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli fillimisht të “ulen në gjunjë” dhe të pranojnë humbjen.
Deklarata është bërë e ditur të martën nga një zyrtar i lartë iranian, i cili ka kërkuar të mbetet anonim. Sipas tij, Khamenei ka zhvilluar takimin e parë për politikën e jashtme që prej emërimit në krye të Republikës Islamike, duke mbajtur një qëndrim të ashpër dhe hakmarrës ndaj SHBA-së dhe Izraelit. Zyrtari nuk ka sqaruar nëse lideri i ri mori pjesë fizikisht në takim apo në distancë.
Burimi bëri të ditur se dy vende ndërmjetëse i kishin paraqitur Ministrisë së Jashtme iraniane propozime për uljen e tensioneve ose arritjen e një armëpushimi me SHBA-në, por pa dhënë detaje mbi përmbajtjen apo identitetin e ndërmjetësve. Sipas tij, përgjigjja e Khameneit ishte e prerë: nuk është “koha e duhur për paqe” derisa SHBA-ja dhe Izraeli të pranojnë humbjen dhe të paguajnë dëmshpërblim.
Në Republikën Islamike të Iranit, udhëheqësi suprem ka autoritetin përfundimtar mbi të gjitha çështjet shtetërore. Megjithatë, nuk janë publikuar imazhe të reja të Khameneit që prej përzgjedhjes së tij më shumë se një javë më parë nga një asamble klerikësh, pas vdekjes së të atit, Ali Khamenei. Ndërkohë, raportimet mbi gjendjen e tij shëndetësore mbeten kontradiktore: disa zyrtarë iranianë flasin për plagë të lehta, ndërsa burime amerikane sugjerojnë se ai mund të jetë plagosur rëndë.
Konflikti mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka hyrë në javën e tretë, me të paktën 2 mijë viktima dhe pa një perspektivë të qartë për përfundim. Situata është përkeqësuar më tej nga mbyllja e Ngushtica e Hormuzit, një arterie kyçe për tregtinë globale të energjisë.
Aleatët e SHBA-së kanë refuzuar kërkesën e presidentit Donald Trump për të kontribuar në rihapjen e kësaj rruge detare, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë dhe shqetësime për rritjen e inflacionit në tregjet ndërkombëtare.
Në mesazhin e tij të parë publik pas emërimit, të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, Khamenei deklaroi se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e mbyllur si një mjet presioni ndaj “armiqve të Iranit”. Ndërkohë, administrata amerikane ka refuzuar përpjekjet e aleatëve rajonalë për nisjen e negociatave diplomatike me qëllim përfundimin e konfliktit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






