Transmetuar më 17-03-2026, 17:54

Donald Trump kritikon NATO-n dhe aleatët e tjerë të SHBA-së. Tregoi se i është thënë se ata "nuk duan të përfshihen" në luftën e Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se shumica e aleatëve dhe NATO kanë refuzuar të ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.

Në një reagim të ashpër në rrjetet sociale, Trump u shpreh i pakënaqur me mungesën e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se SHBA po vepron pa ndihmën e aleatëve, pavarësisht se shumë prej tyre janë dakord me qëndrimin amerikan ndaj Iranit.

Në rrjetin e tij TruthSocial, ai thotë: “Ne nuk ‘kemi më nevojë’, ose nuk dëshirojmë, ndihmën e vendeve të NATO-s — NUK E KAM PASUR KURRË!”

“Ne shpenzojmë qindra miliarda dollarë çdo vit për të mbrojtur këto vende, por në moment nevoje ata nuk bëjnë asgjë për ne,” tha ai, duke e cilësuar NATO-n si një “rrugë me një drejtim”.

"Nuk kemi nevojë për ta, por duhet të kishin qenë aty", tha Trump duke shtuar se NATO po bën një gabim të madh sipas tij.

“Për shkak të faktit që kemi pasur një sukses të tillë ushtarak, nuk kemi më ‘nevojë’ ose dëshirë për ndihmën e vendeve të NATO-s — NUK E KAM PASUR KURRË! Po kështu, Japonia, Australia apo Koreja e Jugut.

Në fakt, duke folur si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm në botë deri tani, NE NUK KEMI NEVOJË PËR NDIHMËN E ASKUJVE!", zbraz nervozizmin e tij Trump.

Ndërkohë, konflikti mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin vijon të përshkallëzohet, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se kalimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit është bërë shumë i rrezikshëm për shkak të kërcënimeve nga raketat kundër anijeve, dronët dhe minat detare.

Situata ka nisur të reflektohet edhe në tregjet globale, me rritje të çmimeve të karburantit dhe shqetësime për një krizë të mundshme energjetike në shkallë botërore.

Foto: AP

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit