

Mos i ndalni pyetjet e fëmijëve, është çelësi i zhvillimit të mendjes dhe inteligjencës
Pyetjet e fëmijëve nuk janë thjesht kureshtje momentale, por një proces i rëndësishëm për zhvillimin e mendjes dhe të të menduarit.
Sa më shumë që ata pyesin, aq më shumë aktivizohet truri i tyre dhe rritet aftësia për të kuptuar botën përreth.
Për këtë arsye, prindërit dhe mësuesit duhet t’i inkurajojnë dhe jo t’i ndalin, sepse pikërisht pyetjet janë baza e dijes dhe e të menduarit të thellë.
Nga Lira Gjika
Prindër dhe mësues, mos u bezdisni nga pyetjet e fëmijëve. Sa më shumë pyetje të bëjnë, aq më mirë është për trurin dhe mendjen e tyre, por edhe për tuajën. Kur mësohet një gjë e re, ajo duhet patjetër të provokojë pyetje të reja, përndryshe ç’kuptim ka? Pyetjet e vendosin trurin dhe mendjen në punë.
Të mësuarit e një gjëje të re ka pikërisht këtë qëllim: të vërë në funksion të gjitha strukturat e psikës për të menduar dhe për të gjetur zgjidhje. Zgjidhjet vijnë nga cilësia e pyetjeve. Dija nuk ka fund dhe pikërisht pyetjet e krijojnë këtë pafundësi.
Prandaj, kur fëmija pyet, mos i thoni “çfarë janë këto pyetje koti”, por pyeteni: “mos do të më pyesësh për këtë apo për atë gjë?”. Prindër dhe mësues, ndihmojeni fëmijën të bëjë sa më shumë pyetje. Duke e ndihmuar të pyesë, e ndihmoni që mendja e tij të kalojë nga një nivel i caktuar në një nivel më të avancuar.
Janë pyetjet ato që e realizojnë këtë rrugëtim të dijes drejt pafundësisë, jo thjesht të diturit e gjërave. Prindër dhe mësues, edhe njëherë, mos u bezdisni nga pyetjet e fëmijëve, por shijojini ato si një shenjë e një bashkëbisedimi të mirë mes jush dhe tyre.
Pyetjet tregojnë se fëmija nuk ka frikë nga ju, ju beson dhe për këtë arsye ndihet i sigurt të pyesë edhe për gjëra për të cilat nuk ka ende përgjigje. Është detyra juaj si prindër dhe mësues ta ndihmoni fëmijën të rritet dhe të njohë botën që e rrethon, por edhe atë që është brenda tij.
Lira Gjika
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






