Transmetuar më 17-03-2026, 15:29

IZRAEL – Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar ka reaguar pas vendimit të Parlamentit të Shqipërisë për të shpallur Iranin shtet që sponsorizon terrorizmin. Kjo duke e cilësuar këtë hap si historik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sa’ar përgëzoj kryeministrin për rezolutën historike të miratuar sot, e cila shpalli Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit.

Ai deklaroi se terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Sipas tij, miratimi i kësaj rezolute është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.

“E përgëzoj Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Parlamentin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë”, shkruan ministri.

Ditën e sotme Parlamenti shqiptar shpalli me 79 vota pro dhe një votë abstenimi nga Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë, Iranin një shtet që sponsorizon terrorizmin.

Në këtë rezolutë i bëhet thirrje qeverisë të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike si organizatë terroriste. Gjithashtu ajo duhet të shpallë edhe Hezbollah-un si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit