

Ish-zëvendesdrejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Hava Delibashi mbërriti këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, së cilës i është drejtuar me kërkesën për masën e sigurisë.
Delibashi po hetohet veprat penale “shkelje të barazisë në tendera e kryer në formën e bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga grupi kriminal.
Ajo mbahet prej më shumë se 3 muajsh në masën e “arrestit në shtëpi”, por tashmë pretendon se kjo masë duhet zbutur, për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet, pasi është shtatzënë.
Seanca e së martës u shty, me qëllim që prokurorët e posaçëm, Bledar Maksuti e Altin Dumani, që po hetojnë skandalin e AKSHI-t të paraqesin informacionin 2 mujor lidhur me veprimet hetimore të kryera deri në këtë momente, e më pas gjykata të shprehet lidhur me kërkesën e Delibashit.
SPAK pretendon se brenda AKSHI-t vepronte një grup i strukturuar kriminal që drejtohej nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët urdhëronin rrëmbimin e rivalëve, sikurse ishte Gerond Mece dhe i detyronin të tërhiqeshin nga tenderat. Dy biznesmenët janë në arrati, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHIT Mirlinda Karçanaj dhe Delibashi ndodhet në arrest shtëpie. Për 3 biznesmenë te tjerë dhe një zyrtar policie gjykata e posaçme ka caktuar masat e ndalimit për të dalë jashtë vendit apo pezullim nga ushtrimi i funksionit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






