

DURRËS – Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Storm 16”, duke goditur një rrjet prostitucioni në qytet. Në total, 12 persona janë marrë nën procedim, arrestuar ose janë nën hetim.
Si rezultat i hetimeve intensive të kryera gjatë dy javëve nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe shërbimet operacionale të DVP Durrës, u proceduan penalisht dy shtetase braziliane: L. C., 33 vjeçe, e kapur në hotel, dhe V. B., 27 vjeçe, e kapur në ambient të marrë me qira, për ushtrim të prostitucionit.
Gjithashtu, u proceduan 8 persona të tjerë, banues në Vlorë, Durrës dhe Divjakë, të dyshuar si klientë.
Në kuadër të operacionit, u shpallën në kërkim dy shtetase të tjera braziliane: G. S., 30 vjeçe, dhe M. R., 38 vjeçe, për veprat penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion” dhe “Prostitucioni”.
Po ashtu, nisi procedimi penal për K. P., 45 vjeç, administrator i një hoteli në Durrës, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Gjatë operacionit, u sekuestruan shuma parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria, 10 celularë dhe pasaporta. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





