Transmetuar më 17-03-2026, 13:16

BRUKSEL – Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë të gjitha masat ndëshkuese që ishin vendosur ndaj Kosovës në qershor 2023, ka njoftuar Komisioni Evropian. Lajmi u konfirmua gjatë një debati mbi raportin për Kosovën në Parlamenti Evropian nga Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së.

“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa, dhe po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë për ta rikthyer vendin në rrugën e duhur në agjendën e tij të BE-së,” tha Plecity.

Gjatë diskutimit, u shpreh keqardhje për vitin e humbur nga Kosova për shkak të ngërçit politik gjatë vitit 2025. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, theksoi se paraliza politike kishte penguar reformat e nevojshme dhe kishte shkaktuar regres në disa fusha kyçe.

Masat ndëshkuese të BE-së në 2023 përfshinin pezullimin e financimit dhe të takimeve dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe Qeverisë së Kosovës, si përgjigje ndaj tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Në atë periudhë pati edhe përplasje mes protestuesve serbë dhe forcave të sigurisë, përfshirë pjesëtarët e misionit paqeruajtës KFOR.

Në këtë kontekst, BE-ja ka mirëpritur zbatimin e Ligjit për të huajt, i cili lejon serbët e Kosovës të banojnë, studiojnë dhe punojnë ligjërisht në vend. Sipas Anne Kempainen nga Shërbimi i Jashtëm Evropian, kjo marrëveshje tregon se dialogu sjell rezultate konkrete.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nga 15 marsi ofron leje të përkohshme qëndrimi dhe njohje të letërnjoftimeve për serbët që nuk kanë dokumente të Kosovës. Ligji për të huajt dhe për automjetet nisi të zbatohet pjesërisht më 15 janar dhe ka hyrë plotësisht në fuqi nga 15 marsi. Hyrja në fuqi e vendimit nuk do të prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore, një masë e mirëpritur edhe nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Serbia.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit