

TIRANË – Çmimi i naftës me pakicë në tregun shqiptar është rritur sërish, duke arritur në 199 lekë për litër, nga 193 lekë që ishte më 11 mars 2026, një rritje prej 6 lekësh për litër.
Sipas vëzhgimeve në disa pika karburanti në Tiranë, përfshirë pikën e “Elda” në zonën e Bërryli dhe pikën e “Bolv Oil” pranë Pazarit të Ri, ndryshimi është reflektuar që nga mëngjesi i sotëm. Punonjësit e pikave të tregtimit konfirmuan se kjo rritje pasqyron luhatjet e tregut ndërkombëtar.
Krahasuar me çmimin para nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës është rritur me 24 lekë për litër, ose rreth 14%. Para fillimit të konfliktit, nafta me pakicë në vend tregtohej rreth 175 lekë për litër.
Nga Shoqata e Hidrokarbureve sqarohet se nafta është produkt që tregtohet në bursat ndërkombëtare, dhe çmimet e pakicës pasqyrojnë ndryshimet e tregjeve globale. Në bursat ndërkombëtare, nafta “Brent Crude” ka arritur 103 USD për fuçi, krahasuar me 65 USD për fuçi para nisjes së konfliktit.
Pas rritjes së çmimeve, në vend është ngritur një task force monitorimi për të ndjekur zhvillimet në treg. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se institucionet do të analizojnë të dhënat mbi çmimet e karburanteve që hyjnë në vend përmes administratës doganore dhe platformës ndërkombëtare të tregtimit të karburanteve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






