Transmetuar më 17-03-2026, 11:19

LEZHË – Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me lëndë plasëse automjeti i një punonjësi të Policisë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Zoomed In”, është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar, shtetasi Fatjon Rrika, 32 vjeç, i cili rezulton me precedent penal në Itali për vjedhje me armë.

Sipas njoftimit zyrtar, 32-vjeçari u kap në fshatin Zhejë, në Kurbin, teksa lëvizte me ciklomotorin që dyshohet se kishte përdorur për të shkuar në vendngjarje ditën e shpërthimit.

Identifikimi i tij u bë pas analizimit të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme rrugore, të cilat ndihmuan në zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur më 15 mars 2026.

Në vijim të operacionit, nisi procedimi penal edhe për babanë e të arrestuarit, shtetasin N. Rr., 66 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë gjahu pa leje. Arma dhe ciklomotori u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhë, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të një personi tjetër që dyshohet se ka bashkëpunuar në këtë ngjarje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit