

Lezhë / Zbardhet ngjarja, arrestohet autori i dyshuar pas operacionit “Zoomed In”
Një operacion i zhvilluar nga Policia e Lezhës ka çuar në zbardhjen e një ngjarjeje të ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Besëlidhja”, ku u dëmtua me lëndë plasëse automjeti i një punonjësi policie.
Policia e Lezhës deklaroi sot se ka zbardhur autorësinë dhe rrethanat e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me eksploziv automjeti i punonjësit të policisë Gent Gjetja.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe analizës së pamjeve filmike nga disa akse rrugore, është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar, shtetasi Fatjon Rrika, 32 vjeç, i cili rezulton me precedent në Itali për vjedhje me armë.
32-vjeçari u kap në fshatin Zhejë të Kurbinit, ndërsa lëvizte me ciklomotorin që dyshohet se është përdorur për të shkuar në vendngjarje ditën e incidentit.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti një armë gjahu pa leje, për të cilën nisi procedimi penal ndaj babait të tij, shtetasit N. Rr., 66 vjeç. Ciklomotori dhe arma u sekuestruan si prova materiale.
Hetimet vijojnë për identifikimin e një personi tjetër që dyshohet të ketë bashkëpunuar në këtë ngjarje, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






