

Prishtinë – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar kryeministrin e Shqipëria, Edi Rama, lidhur me një editorial të përbashkët të publikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Në një deklaratë për RTK, ajo u shpreh se qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë veprim, duke theksuar se krijohet përshtypja se kryeministri Rama ndërhyn në momente kur, sipas saj, presidenti serb përballet me presion nga Bashkimi Europian.
Ajo shtoi se nuk duhet të ekzistojnë alternativa bashkëpunimi për Shqipërinë me Serbinë që anashkalojnë Kosovën, duke e cilësuar këtë si një gabim strategjik me pasoja afatgjata.
“Rruga nga Tirana për në Beograd kalon përmes Prishtinës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe ekonomikisht dhe politikisht,” u shpreh ajo, duke theksuar rëndësinë e rolit të Kosovës në marrëdhëniet rajonale.
Sipas Gërvallës, problematik në editorial nuk është bashkëautorësia në vetvete, por përmbajtja e tij, konkretisht ideja që Shqipëria dhe Serbia të avancojnë së bashku drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian, pa adresuar, sipas saj, qëndrimet e Serbisë në raport me fuqitë ndërkombëtare dhe politikën e jashtme.
Deklaratat e saj vijnë në vijim të debatit të hapur pas publikimit të artikullit të përbashkët, i cili ka ngjallur reagime të ndryshme në hapësirën publike në rajon.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






