Transmetuar më 17-03-2026, 07:39

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare që do të mbahet sot në Kuvend.

Ky vendim është marrë pasi thirrja e seancës konsiderohet e paligjshme dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Qëndrimi u bë publik nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, seanca është thirrur jashtë ditës së zakonshme të zhvillimit të saj, që është e enjtja, dhe me një rend dite që përfshin vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime.

Ai theksoi se kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit Edi Rama dhe të kreut të Kuvendit Niko Peleshi, pa një rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht dhe në shkelje të procedurave që parashikon Rregullorja e Kuvendit.

Sipas Bardhit, një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk mund të funksionojë normalisht dhe rrezikon të kthehet në një instrument në shërbim të qeverisë. Ai shtoi se në vend që Parlamenti të merret me problemet reale të qytetarëve dhe të ushtrojë kontroll mbi qeverinë, është shndërruar në një mekanizëm që pengon edhe drejtësinë në hetimin e korrupsionit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit