

Për ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura. Reshjet e shiut pritet të bëhen prezente në orët e mesditës me intensitet të ulët në zonën e jugut dhe pjesërisht qendër.
Më pas reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në të gjithë territorin deri në fund të ditës. Në orët e pasdites dhe mbrëmjes përgjatë vijës bregdetare dhe ultësirën perëndimore reshjet në periudha afatshkurtra në formën e shtrëngatave.
Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 15 m/s.
Në Adriatik dhe Jon do të ketë valëzim të forcës 2-4 ballë.

Kosova
Orët e para të mëngjesit do të sjellin në Republikën e Kosovës vranësira të shumta, të cilat pritet të jenë më të fokusuara në zonat perëndimore dhe më të pakta në zonat lindore. Në orët vijuese parashikohet dendësim i vranësirave në të gjithë territorin e vendit, duke sjellë reshje shiu fillimisht në zonat perëndimore dhe më pas gradualisht në gjithë Kosovën, ku do të mbizotërojnë reshje të pakta.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në mëngjes, por do të ulen në mesditë, duke u luhatur nga 4°C si temperatura më e ulët e shënuar në Mitrovicë, deri në 17°C si temperatura më e lartë në Prizren.
Ndërkohë, era do të fryjë mesatare, me shpejtësi maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor.
Maqedonia
Maqedonia e Veriut gjatë gjithë 24-orëshit të ditës së martë do të jetë nën ndikimin e vranësirave të shumta në të gjithë territorin. Gjithashtu, pritet rritje e lagështirës në ajër gjatë paradites dhe në vijim, duke krijuar mundësi për reshje në të gjithë vendin. Reshjet do të jenë me intensitet të ulët deri mesatar, në zona të izoluara, ndërsa më të theksuara pritet të jenë në zonat veriperëndimore. Kjo situatë atmosferike do të vijojë edhe gjatë orëve të mbrëmjes.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në mëngjes, por do të ulen në mesditë, duke u luhatur nga 5°C si temperatura më e ulët e shënuar në Kumanovë, deri në 18°C si temperatura më e lartë në qytetin e Shkupit.
Ndërkohë, era do të fryjë mesatarisht gjatë gjithë 24-orëshit, me shpejtësi deri në 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor.
Evropa
Europa Juglindore dhe zonat përreth Alpeve do të dominohen nga vranësira të shumta, të cilat pritet të gjenerojnë kryesisht reshje shiu, ku më të dukshme do të jenë në Ballkanin veriperëndimor. Gjithashtu, Europa Lindore do të paraqitet me vranësira dhe reshje në formë dëbore.
Ndërsa Europa Veriore dhe Qendrore do të jenë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, duke sjellë intervale të gjata me diell dhe kalime të lehta vranësirash. Kthjellimet më të dukshme pritet të jenë në Europën Perëndimore dhe Jugperëndimore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






