Transmetuar më 16-03-2026, 20:55

Sistemi i E-Albania ka përjetuar probleme serioze gjatë fundjavës dhe ditës së sotme, duke e bërë të pamundur përdorimin e disa shërbimeve online për qytetarët dhe bizneset.

Kjo ndodh në një kohë kur Shqipëria shënon disa ditë pushimi zyrtare radhazi: Dita e Verës, Festa e Bajramit dhe Festa e Novrusit, duke bërë që administrata të jetë jashtë punës, ndërsa bizneset tentojnë të kryejnë shërbime që shpesh dështojnë për shkak të ngarkesës ose problemeve teknike të sistemit.

Sipas ekspertëve, problemi kryesor lidhet me ngarkimin e dokumenteve, duke shkaktuar vonesa për raportet e barrëlindjeve, përfitimet e punëmarrësve nga skemat e sigurimeve shoqërore, dhe marrjen e dokumenteve për individët që mungojnë për arsye shëndetësore. Edhe funksionaliteti self-care për bizneset, i cili përdoret për faturat dhe bilancet, nuk ka qenë i qëndrueshëm, duke penguar veprimtarinë e tyre.

Situata përsërit rastet e mëparshme: në korrik të vitit 2025, dorëzimi online i bilanceve në Qendrën Kombëtare të Biznesit ishte i pamundur për disa ditë, ndërsa në janar bizneset nuk mund të rakordonin dot faturat në sistemin self-care dhe nuk realizohej fiskalizimi i faturave të importit.

Ironikisht, Shqipëria renditet ndër vendet që përdorin më shumë shërbimet e e-qeverisjes. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, 78% e qytetarëve shqiptarë ndërvepruan online me autoritetet publike gjatë 12 muajve të fundit, krahasuar me 72% mesataren e Bashkimit Europian. Megjithatë, përdorimi i gjerë nuk shmang vonesat dhe pengesat teknike që bëjnë që sistemi shpesh “xhiron bosh”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit