

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në fshatin Orman, në bashkinë Maliq, ku të shtënat me armë zjarri kanë shkaktuar panik te banorët dhe kanë çuar në arrestimin e dy personave nga policia.
Sipas autoriteteve, një 40-vjeçar shqiptar dhe një 48-vjeçar grek janë vënë në pranga nga strukturat e policisë, të mbështetura edhe nga Forcat e Posaçme Forcat e Posaçme Shqiponja, pas një operacioni të zhvilluar në zonë.
Ngjarja u zbulua pasi banorët e fshatit njoftuan policinë se një person po qëllonte në ajër me armë zjarri, duke shkaktuar frikë dhe duke rrezikuar sigurinë e tyre. Forcat e rendit ndërhynë menjëherë dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin me inicialet K. A., 40 vjeç, banues në Orman.
Gjatë operacionit, policia i sekuestroi një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak. Nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari është person me precedentë penalë, i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Në pranga ka rënë edhe miku i tij, shtetasi grek D. P., 48 vjeç, banues në Athens. Ai akuzohet për veprën penale “moskallëzim i krimit”, pasi ndodhej së bashku me 40-vjeçarin në momentin kur ky i fundit qëllonte me armë.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se dy personat dyshohet se kishin shkuar në zonë për të kërkuar flori të fshehur. Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, policia gjeti edhe një pajisje metalkërkuese, e cila dyshohet se ishte sjellë nga Athina nga shtetasi grek për kërkimin e metaleve apo thesareve të fshehura.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit tip kallashnikov, sasi municioni luftarak, pajisja metalkërkuese si dhe fara të bimës narkotike kanabis të gjetura në banesën e 40-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






