Transmetuar më 16-03-2026, 18:44

Një studim i fundit mbi ndotjen e ajrit në disa bashki të vendit ka nxjerrë në pah se Tirana mbetet qyteti më problematik për cilësinë e ajrit. Sipas raportit, zonat më të ndjeshme në kryeqytet janë Qyteti Studenti, Rruga e Dibrës dhe Medreseja, ku niveli i grimcave të pluhurit dhe dioksidit të karbonit tejkalon normat e përcaktuara nga Bashkimi Europian.

Cilësia e ajrit vijon të mbetet një ndër problemet kryesore mjedisore në vend. Monitorimi është kryer nga Co-PLAN gjatë vitit 2025 në gjashtë bashki: Tirana, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier dhe Shkodër, ku kryeqyteti rezulton me situatën më shqetësuese.

Trafiku i rënduar gjatë gjithë ditës konsiderohet një ndër faktorët kryesorë që ndikon në cilësinë e ajrit, veçanërisht në zonat si Rruga e Dibrës, Qyteti Studenti dhe Medreseja. Sipas raportit, niveli i grimcave të pluhurit rezulton brenda kufijve të lejuar kryesisht gjatë muajve të verës, ndërsa në periudhat e tjera të vitit vlerat rriten ndjeshëm.

Raporti evidenton gjithashtu se parametri më problematik gjatë monitorimit është dioksidi i azotit (NO₂), i cili në disa zona të qytetit rezulton deri në tre herë mbi normat e Bashkimit Europian. Nivelet më të larta janë regjistruar pranë kryqëzimit të Bulevardi Dëshmorët e Kombit me Unaza e Madhe, në zonën pranë Materniteti i Ri, si dhe në lagjet Ali Demi dhe përgjatë Rruga e Elbasanit.

Edhe niveli i dioksidit të karbonit në disa zona rezulton problematik, duke arritur deri në mbi katër herë mbi normat e rekomanduara.

Sa i përket qyteteve të tjera, në Durrës janë regjistruar vlera të larta të grimcave të pluhurit pranë akseve kryesore rrugore dhe zonës së portit. Ndërkohë, në Fier, Korçë, Shkodër dhe Elbasan, ndotja më e lartë paraqitet kryesisht pranë zonave industriale dhe rrugëve me fluks të madh automjetesh.

Sipas të dhënave të raportit, burimet kryesore të ndotjes mbeten trafiku i dendur rrugor, kantieret e shumta të ndërtimit, djegia e karburanteve fosile dhe mungesa e hapësirave të gjelbra.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit