

16 Mars 2026 – Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet lidhur me shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas, ngjarje që për disa ditë bllokoi juglindjen e vendit, duke shkaktuar kaos në lëvizjen e qytetarëve.
Grupi hetimor ka kërkuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dorëzimin e të gjitha dokumenteve dhe procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen e rrugës, të cilat pritet të jenë në dispozicion brenda një jave për shkak të volumit të madh të materialeve.
Fokus në tenderin e mirëmbajtjes
Hetimi përqendrohet tek tenderi i mirëmbajtjes së aksit ekzistues, duke përfshirë mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe termat e kontratës mes ARRSH dhe kompanisë fituese. Sipas të dhënave të Open Data, kontrata është fituar nga kompania InfraKonsult, pronë e Redi Strugës. Verifikimet e para tregojnë se kompania nuk ka përmbushur detyrimet kontraktore, duke shkelur ligjin, dhe dyshohet se kjo mund të ketë ndikuar në shembjen e aksit.
Hetimi shtrihet gjithashtu tek ndërtimi i rrugëve provizore dhe përdorimi i inerteve nga lumi Shkumbin, pasi është konstatuar shfrytëzim masiv në disa zona.
Vepra penale të hetuara
Prokuroria po heton për veprat penale:
Shpërdorim i detyrës
Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike
Shkatërrimi i rrugës
Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës
Situata në segmentin rrugor tani është normalizuar, por problemi mbetet evident për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës, që pengoi qarkullimin normal të automjeteve për ditë me radhë.
Hetimet pritet të zbulojnë nëse ka pasur edhe kontakte me grupe kriminale, ndërkohë që SPAK po monitoron zhvillimet e tjera në këtë drejtim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






