

Frikë në familjen shkodrane: Burri shkatërron shtëpinë, sulet me sëpatë të heqë qafe gruan dhe djalin. Policia: Ka probleme me diabetin dhe trurin, po e çojmë te një neuropsikiatër
Një ngjarje që ka krijuar frikë dhe tension në një familje në zonën e Shkodrës është regjistruar së fundmi, pasi një 61-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar familjarët e tij dhe ka shkaktuar dëme në banesë.
Sipas informacioneve nga policia, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë kanë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. Gj., 61 vjeç, banues në fshatin Koderbojë.
Ngjarja është denoncuar nga bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët kanë deklaruar se 61-vjeçari i ka kanosur me jetë duke përdorur një sëpatë. Pas momentit të tensionit, ai dyshohet se ka dëmtuar pajisje elektroshtëpiake dhe orendi brenda banesës.
Pas ndërhyrjes së policisë, shtetasi T. Gj. është shoqëruar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku është dërguar për vlerësim dhe trajtim nga mjeku neuropsikiatër. Sipas të dhënave paraprake, ai rezulton i pajisur edhe me epikrizë për probleme të shëndetit mendor dhe vuan gjithashtu nga diabeti.
Autoritetet bëjnë me dije se materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






