Transmetuar më 16-03-2026, 10:55

Një incident me të shtëna arme ka shkaktuar shqetësim te banorët e fshatit Orman në Maliq, ku një 40-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri duke krijuar panik dhe duke rrezikuar jetën e banorëve të zonës.

Pas njoftimit të marrë nga qytetarët, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq kanë shkuar në vendngjarje. Me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, policia arriti të lokalizojë dhe të neutralizojë personin e dyshuar, duke e arrestuar atë.

Në pranga është vënë shtetasi Kristo Agolli, 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq. Sipas policisë, ai rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje si dhe për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Në vendngjarje policia sekuestroi një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se janë përdorur nga 40-vjeçari.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën gjithashtu fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë edhe një shtetas grek, Dimitrios Pentazidis, 48 vjeç, banues në Athinë, i cili ndodhej bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ai po qëllonte me armë. Ai akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shtetasi grek kishte ardhur në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar objekte me vlerë në tokë, duke përdorur aparatin metalkërkues që dyshohet se ishte sjellë nga Greqia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit