

Regjisorja dhe aktorja kosovare me famë ndërkombëtare, Luana Bajrami, është ngjitur në skenën prestigjioze të ceremonisë Academy Awards, pasi filmi i saj i ri Two People Exchanging Saliva fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër.
Bajrami u ngjit në skenë së bashku me ekipin e filmit për të marrë çmimin, në një moment të mbushur me emocione. Gjatë fjalës falënderuese, realizuesit e projektit përmendën edhe prejardhjen e saj nga Kosovë, duke theksuar gjithashtu se filmi është realizuar nga një ekip i përbërë kryesisht nga gra.
Në këtë prodhim, Bajrami interpreton një personazh në një histori të vendosur në një Paris të pazakontë, ku puthjet janë të ndaluara me ligj. Filmi paraqet një realitet absurd dhe të ftohtë, ku personazhet përballen me rregulla të çuditshme dhe kufizime të pazakonta shoqërore.
Fitorja e këtij çmimi e vendos emrin e Bajramit në mesin e krijuesve që kanë arritur sukses në skenën më të madhe të kinematografisë botërore.

Reagon dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë:
Jemi pafundësisht krenarë për suksesin e jashtëzakonshëm të aktores Luana Bajrami, e cila mbrëmjen e djeshme u nderua me çmimin Oscar për filmin e metrazhit të shkurtër “Two people exchanging saliva”.
Ky vlerësim nga @theacademy nuk është vetëm një triumf personal i Luanës, por një dëshmi e fuqisë dhe talentit të pashtershëm që artistët tanë po tregojnë në skenat më prestigjioze të botës. Ky moment shënon një gur themeli për filmin shqiptar dhe na mbush me shpresë për rrugëtimin tonë të përbashkët drejt majave të artit botëror.
Urime të përzemërta Luanës dhe gjithë ekipit për këtë arritje që do të mbetet gjatë në memorien tonë kolektive!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





