

Operacioni “Porosia” në Tiranë, zbardhet shpërthimi me eksploziv në një automjet: 7 persona në pranga, një tjetër dyshohet se e porositi nga burgu
Një operacion policor i koduar “Porosia” ka çuar në zbardhjen e shpërthimit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 marsit 2026 në Tiranë, ku një automjet në pronësi të shtetasit Oltion Klosi u dëmtua pas vendosjes së një sasie lënde plasëse. Ngjarja ndodhi në rrugën “Vasil Ndoçka” dhe për fat nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Pas hetimeve intensive, policia arriti të identifikojë dhe të arrestojë 7 persona të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje, të cilët dyshohet se kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar. Të ndaluarit janë Jurgen Gjonaj, 32 vjeç, Renato Balla, 25 vjeç, Kristjan Ahmerama, 24 vjeç dhe Eklips Leti, 27 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.
Po ashtu janë ndaluar edhe Glentjan Kojtari, 29 vjeç, Dorjan Hamolli, 34 vjeç dhe Geris Molla, 19 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Sipas hetimeve, ata kanë ndihmuar në transportimin e autorit kryesor pas vendosjes së lëndës plasëse.
Në kuadër të hetimeve është kryer edhe ndalimi me iniciativë për shtetasin Sabah Nuzi, 33 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fushë-Krujë. Ai dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit O. K.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Jurgen Gjonaj është personi që ka vendosur dhe aktivizuar lëndën plasëse. Sipas policisë, ai është ndihmuar nga Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, të cilët kanë siguruar fotografitë dhe vendndodhjen e automjetit, biçikletën me të cilën është lëvizur autori, vendin ku ai është strehuar si dhe lëndën plasëse të përdorur në këtë ngjarje.
Ndërkohë, tre shtetasit e tjerë, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla, dyshohet se kanë transportuar me automjet autorin e dyshuar Jurgen Gjonaj në datën 10 mars, duke e ndihmuar të largohej pas kryerjes së veprimit.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar si prova materiale biçikleta e përdorur gjatë ngjarjes, rrobat e autorit, disa automjete të përdorura nga të dyshuarit si dhe aparate celularë.
Policia bën me dije se zbardhja e ngjarjes u bë e mundur pas veprimeve hetimore, administrimit të provave në vendngjarje dhe analizës së kamerave të sigurisë në disa akse rrugore, përmes të cilave u rindërtua lëvizja e autorëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






