Transmetuar më 16-03-2026, 08:37

Situata humanitare në Liban po përkeqësohet me shpejtësi, pasi gati një milion persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të përshkallëzimit të luftimeve dhe urdhrave të evakuimit të lëshuara nga Izrael. Lajmi është bërë i ditur nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Drejtoresha e përgjithshme e organizatës, Amy Pope, u shpreh “thellësisht e alarmuar” nga raportimet se një sulm goditi persona të zhvendosur që po strehoheshin në kryeqytetin libanez, Bejrut, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për migracionin, afro një milion njerëz janë larguar nga banesat e tyre si pasojë e përshkallëzimit të armiqësive dhe urdhrave të evakuimit në mbarë vendin.

Rreth 125 mijë persona aktualisht po qëndrojnë në strehimore kolektive të menaxhuara nga autoritetet shtetërore, ndërsa shumë të tjerë janë strehuar te të afërm, miq ose komunitete lokale. Megjithatë, mijëra persona mbeten pa strehim të përshtatshëm, përfshirë familje që detyrohen të flenë në rrugë.

Shumë nga të zhvendosurit kanë mbërritur në Bejrut me shumë pak sende personale, shpesh vetëm me rrobat që mbanin veshur. Aktualisht ata jetojnë në tenda ose strehimore të improvizuara, të cilat ofrojnë mbrojtje minimale nga bombardimet.

Pope paralajmëroi se nevojitet ndihmë urgjente ndërkombëtare për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të krizës humanitare.

“E drejta ndërkombëtare humanitare kërkon që palët në konflikt të lejojnë dhe të lehtësojnë dërgimin e shpejtë të ndihmës humanitare për civilët në nevojë. Kjo duhet të respektohet tani”, deklaroi ajo.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit