

15 Mars 2026 – Në kuadër të Ditës Botërore të Konsumatorit janë ngritur shqetësime për rritjen e vazhdueshme të çmimeve në Kosovë, mungesën e kontrollit në treg dhe vështirësitë e qytetarëve për të përballuar koston e jetesës.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë theksojnë se konsumatorët po përballen me çmime të paqëndrueshme, ndërsa kontrolli institucional ndaj tregut mbetet i pamjaftueshëm.
Shoqata “Konsumatori”: Duhet ministri për mbrojtjen e konsumatorëve
Kryetari i Shoqata Konsumatori, Selatin Kaçaniku, deklaroi se niveli i informimit dhe mbrojtjes së konsumatorëve varet nga përmbushja e detyrimeve të institucioneve shtetërore.
Ai kërkoi krijimin e një strukture të posaçme qeveritare për këtë çështje.
“Ne jemi aq të informuar dhe të edukuar sa qeveria e përmbush mandatin e saj për informimin dhe edukimin e konsumatorëve. Duhet të ketë një ministri të mbrojtjes së konsumatorit, ose së paku një përfaqësues të shoqërisë civile me të drejtë vetoje në vendimet që dëmtojnë qytetarët,” tha Kaçaniku.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është politika e çmimeve dhe importet pa kontroll, për të cilat ka shumë ankesa nga qytetarët.
Qytetarët: “Çmimet ndryshojnë nga dita në ditë”
Qytetari Mustafë Ahmeti u shpreh se çmimet në treg ndryshojnë vazhdimisht dhe se mungon kontrolli ndaj bizneseve.
“Sot e ke një çmim, nesër dyfish. Nuk ka rregullim fare në treg. Çdo market i ka artikujt me çmime të ndryshme. Është abuzim totalisht,” tha ai.
Edhe Nezir Haxholli theksoi se rritja e çmimeve është bërë e papërballueshme për shumë familje, veçanërisht për pensionistët.
“Me një pension rreth 150 euro nuk mund të përballohen shpenzimet. Çmimet janë rritur shumë, duke nisur nga karburantet dhe më pas të gjitha produktet e tjera,” u shpreh ai.
Rritje e inflacionit dhe shtrenjtim i produkteve bazë
Sipas të dhënave të Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2025 inflacioni vjetor në disa muaj ka qenë rreth 4–5%, ndërsa në tetor çmimet e konsumit ishin 5.1% më të larta krahasuar me një vit më parë.
Në shkurt 2026, inflacioni vjetor arriti rreth 6%, duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve që nga viti 2023.
Produktet që janë shtrenjtuar më shumë gjatë vitit 2025 përfshijnë:
energjinë elektrike me rritje deri në 15–20% në disa periudha,
frutat mbi 15–16%,
kafen, çajin dhe kakaon rreth 13–17%,
mishin rreth 12–13%,
si dhe qumështin, djathin dhe vezët mbi 7–10%.
Përfaqësuesit e konsumatorëve kërkojnë nga institucionet që të rrisin kontrollin në treg dhe transparencën e çmimeve, për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet dhe rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






