Transmetuar më 15-03-2026, 22:20

15 Mars 2026– Një protestë e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve këtë të diel në Rruga Gjakovë–Dollc, ku qytetari Ideal Zhaveli organizoi një aksion simbolik për të ironizuar vonesat në përfundimin e projektit rrugor.

Protestuesi vendosi një tortë me mbishkrimin “Urime 7 vjet” pranë punimeve të rrugës, si dhe një tullumbace me numrin 7, duke iu referuar kohëzgjatjes së ndërtimit të segmentit që lidh Gjakovë me drejtimin për Prishtinë.

Sipas Zhavelit, projekti ishte paralajmëruar të përfundonte fillimisht në vitin 2024, më pas u përmend edhe 2025, ndërsa në mars 2026 punimet ende vijojnë.

“Sot bëhen 7 vjet prej kur ka filluar ndërtimi i rrugës Gjakovë–Dollc, apo pjesa që përdoret për rrugën Gjakovë–Prishtinë. Gjendja aktuale është shumë e rënduar dhe nuk mund të përshkosh as 5 kilometra pa hasur dëmtime serioze në rrugë,” u shpreh Zhaveli.

Ai theksoi se kur u inaugurua projekti ishte premtuar se rruga do të përfundonte brenda pesë vitesh, por tashmë kanë kaluar shtatë vite dhe punimet ende nuk kanë marrë fund.

Zhaveli shtoi se protesta e së dielës është pjesë e një serie reagimesh simbolike që ka organizuar ndër vite, duke theksuar se kjo është hera e tretë që ndërmerr një aksion të tillë, kryesisht në mënyrë individuale.

“Janë aksione simbolike personale që i kam parë të nevojshme për të reaguar në këtë mënyrë ironike. Është paradoksale që një rrugë më pak se 30 kilometra të zgjasë 7 vite dhe ende të mos përfundojë,” deklaroi ai.

Sipas tij, reagimet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë edhe profesionistë nga fusha të ndryshme që kërkojnë përfundimin e projektit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit