Transmetuar më 14-03-2026, 21:59

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), po planifikon krijimin e një force të posaçme operacionale brenda Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), me qëllim rritjen e kapaciteteve hetimore dhe shmangien e rrjedhjes së informacionit gjatë operacioneve sensitive.

Sipas raportit vjetor të SPAK, njësia e re pritet të ketë aftësi për vëzhgim dhe infiltrime në hetime të fshehta (“undercover”), duke i dhënë hetuesve të BKH-së një autonomi më të madhe në zhvillimin e operacioneve.

Zyrtarisht, iniciativa synon të garantojë pavarësi më të plotë nga Policia e Shtetit, institucion nga i cili SPAK dhe BKH kanë vazhduar të varen për një pjesë të operacioneve që prej krijimit të tyre.

Propozimi vjen në një periudhë kur SPAK ka ngritur shqetësime për raste të dekonspirimit të aksioneve hetimore dhe rrjedhje informacioni, që sipas institucionit kanë çuar në dështimin e disa operacioneve.

“Ngritja e një njësie të tillë brenda strukturës do të kufizojë maksimalisht mundësinë e rrjedhjes së informacioneve gjatë veprimeve hetimore dhe do të zhvillojë një dimension të ri të kapaciteteve hetimore”, thuhet në deklarimin e Prokurorisë së Posaçme.

Që prej krijimit të saj sipas modelit të Federal Bureau of Investigation (FBI) në Shtetet e Bashkuara, BKH ka marrë gradualisht më shumë kompetenca, përfshirë administrimin e përgjimeve dhe, së fundmi, edhe njësi parandaluese. Megjithatë, njësi të tjera të parashikuara në strukturë, si ajo e vlerësimit të riskut, rezultojnë ende jo funksionale.

Ndërkohë, nuk është bërë ende e qartë pse disa struktura teknike të parashikuara më herët nuk janë ngritur, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga drejtues të mëparshëm të BKH-së.

Në godinën ku pritet të zhvendoset BKH, janë parashikuar ambiente të posaçme për zhvillimin e veprimeve hetimore me urdhër të prokurorëve të SPAK. Çdo zyrë e marrjes në pyetje është pajisur me sistem kamerash dhe regjistrimi audio, me qëllim garantimin e monitorimit dhe dokumentimit të plotë gjatë marrjes në pyetje të deklaruesve dhe dëshmitarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit